Fanella e këtij lojtari të Milanit është shitur më së shumti

16:02 | 08 Nëntor 2022

Publikohen statistikat se fanella e cilit lojtar të Milanit është shitur më së shumti dhe në cilat regjione.

La Gazzetta dello Sport analizoi shitjet e fanellave të Milanit , duke zbuluar se cilët lojtarë ishin më të njohurit dhe fanellat e cilëve janë shitur më shumë.

Kuqezinjtë janë rritur jashtëzakonisht gjatë katër viteve të fundit, duke dalë nga epoka e trazuar e Li Yonghong dhe duke u lulëzuar nën drejtimin e Elliott Management, i cili ia shiti klubin Gerry Cardinale dhe RedBird në fillim të këtij viti. Milani është rikthyer në nivelet e larta të futbollit italian dhe pronarët e rinj po vazhdojnë të punojnë shumë për të ndërtuar markën e klubit dhe mundësitë komerciale.

Siç detajohet nga La Gazzetta dello Sport, lojtari më me ndikim në aspektin e fanellave të shitura të Milanit është Sandro Tonali, me 28 për qind. Pas tij është Zlatan Ibrahimovic me 19 dhe Rafael Leao me 15 për qind. Në vendin e katërt është Theo Hernandez me 13 dhe në të pestin Charles De Ketelaere me 7 për qind.

Fanellat e sulmuesit suedez janë më të shiturat në dyqanet që janë të vendosura në Stacionin Qendror dhe në San Babila, ndërsa Leao është më i popullarizuari për djemtë krahas De Ketelaere.

Ajo e Fode Ballo-Toure dhe e Brahim Diaz filluan të shiten me të madhe pas golave të tyre kundër Empolit dhe Juventusit.

Shifrat tregtare vazhdojnë të bëjnë përshtypje; Rossonerët tashmë kanë shitur më shumë fanella në internet këtë sezon sesa kanë shitur gjatë gjithë sezonit të kaluar. Fanella e bardhë ka rezultuar tepër popullore dhe ajo e portierit me ngjyrë vjollcë, e cila nuk është përdorur ende këtë sezon, tashmë është shitur.

Komento: