Delegacioni shtetëror pa rol udhëheqës në dialog.
Në ekipin që do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin e Parisit do të ftohen vetëm për “dekor” bashkëdrejtuesit e Delegacionit shtetëror për negociatat me Serbinë, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.
Ekipi që do të udhëtojë për në kryeqytetin e Francës do të udhëhiqet nga lidershipi shtetëror, shkruan sot Koha Ditore.
Në Qeveri kanë treguar se përfaqësimi do të bëhet sipas hierarkisë.
“Në takimin e Parisit, nga Kosova do të udhëtojnë: presidenti, kryeministri, kryeparlamentari dhe bashkëkryesuesit e Delegacionit shtetëror, Limaj dhe Ahmeti”, ka thënë Donjeta Gashi, këshilltare për media e kryeministrit Ramush Haradinaj. “Sa i përket kryesimit, ju e dini besoj që Protokolli Shtetëror e përcakton hierarkinë”.
Mbështetur në Ligjin për protokollin, presidenti përfaqëson autoritetin më të lartë në Kosovë, kryetari i Kuvendit është autoriteti i dytë në radhën e përparësisë, ndërsa pas tij është kryeministri, si rangu më i lartë i pushtetit ekzekutiv.
Ndërkaq, një rezolutë që këtë vit e ka miratuar Kuvendi përcakton që Delegacioni shtetëror për negociatat me Serbinë “do të jetë entiteti/organi i vetëm i autorizuar për t’u angazhuar në procesin e dialogut” dhe se ai “do ta mbajë të drejtën ekskluzive të komunikimit dhe interpretimit publik të procedimeve, përmbajtjes dhe arritjeve në procesin e dialogut”.