
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj me rastin e Ditës së Veteranit, ka deklaruar se UÇK-ja ishte vendimi për të mos u përkulur, ishte guxim, sakrificë dhe besë e amanet ndaj Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Limaj përmendi edhe ish-krerët e UÇK-së të cilët po mbahen në Hagë, e për të cilët tha se u ka rënë barra e rëndë për ta mbrojtur pastërtinë e luftës çlirimtare.
“Ditë që i përket themeleve të shtetit tonë. Ditë për ata që morën barrën më të rëndë, që zgjodhën luftën kur liria nuk kishte alternativë tjetër. UÇK-ja ishte vendimi për të mos u përkulur. Ishte guxim, sakrificë dhe besë e amanet ndaj Kosovës. Sot nderojmë veteranët e i kujtojmë edhe ata që nuk janë këtu, ata që janë në Hagë, të cilëve edhe sot, sikurse neve dikur, u ka rënë barra e rëndë për ta mbrojtur pastërtinë e luftës çlirimtare”, ka shkruar kreu i Nismës.
Dita e Veteranit, siç thotë Limaj, na kujton se shteti ynë ka lindur nga lufta e drejtë e UÇK-së.
“Kjo ditë na kujton se shteti ynë ka lindur nga lufta e drejtë e UÇK-së, ky themel nuk guxon të harrohet. Lavdi UÇK-së. Nderim për veteranët”, përfundoi ai.
Ndryshe, ky është postimi i parë i Limajt pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Partia e tij nuk arriti ta kalojë pragun dhe për këtë, nuk ka bërë ende asnjë reagim.
Postimi i plotë:
Dita e Veteranit
Ditë që i përket themeleve të shtetit tonë. Ditë për ata që morën barrën më të rëndë, që zgjodhën luftën kur liria nuk kishte alternativë tjetër.
UÇK-ja ishte vendimi për të mos u përkulur. Ishte guxim, sakrificë dhe besë e amanet ndaj Kosovës.
Sot nderojmë veteranët e i kujtojmë edhe ata që nuk janë këtu, ata që janë në Hagë, të cilëve edhe sot, sikurse neve dikur, u ka rënë barra e rëndë për ta mbrojtur pastërtinë e luftës çlirimtare.
Kjo ditë na kujton se shteti ynë ka lindur nga lufta e drejtë e UÇK-së, ky themel nuk guxon të harrohet.
Lavdi UÇK-së.
Nderim për veteranët.
Fatmir Limaj