Fatmir Limaj prezanton kandidatin e NISMA-s për deputet, është ish-ministri që ka aktakuzë për korrupsion

15:38 | 21 November 2024
fatmir-limaj-prezanton-kandidatin-e-nisma-s-per-deputet,-eshte-ish-ministri-qe-ka-aktakuze-per-korrupsion

Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj e ka futur në listë për deputet, Endrit Shalën, ish ministrin e akuzuar për korrupsion.

Limaj e ka quajtur Shalën “shtyllë të palëkundur” të NISMA-s Socialdemokrate që nga fillimet e saj. Madje, Limaj ka thënë se si ish ministër, Shala, i cili ka aktakuzë për korrupsion, “ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm, integritet të lartë dhe guxim të pakompromis në mbrojtjen e interesave të popullit dhe të shtetit”.

“Si ish-ministër, deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të NISMA-s, Endriti ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm, integritet të lartë dhe guxim të pakompromis në mbrojtjen e interesave të popullit dhe të shtetit tonë. Për vite me radhë, kemi punuar krah për krah, duke ndarë sfidat më të mëdha dhe duke ndërtuar së bashku një vizion për një Kosovë më të drejtë, më të fuqishme dhe më të zhvilluar.

Endriti është simbol i ndershmërisë dhe besnikërisë – jo vetëm ndaj partisë sonë, por edhe ndaj qytetarëve të këtij vendi. Ai ka qenë zëri i fortë i NISMA-s në Kuvend dhe tani është koha që ai të rikthehet, për të qenë ai zë që i mungon Parlamentit. Unë jam krenar që Endriti përfaqëson NISMA-n dhe qytetarët e Kosovës. Jam i bindur se ai do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për ju dhe një përfaqësues i denjë i besimit tuaj”, shkruan Limaj në postimin e tij.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj  ish Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shalës, të cilin e ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Endrit Shala akuzohet se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.

Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.

Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë. /Reporteri.net

Komento: