Ish-presidenti i Kosovës dhe ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka folur për Kuvendin zgjedhor të kësaj partie që do të mbahet të shtunën.
Fatmir Sejdiu ka folur për mundësinë e kandidimit për kryetar të kësaj partie në kuvendin zgjedhor të LDK’së, i cili do të mbahet më 3 gusht – raporton Periskopi.
Sejdiu ka thënë se kandidatura e secilit do të ndodh në Kuvend dhe më pas aty do të vendoset gjithçka.
Ai e ka quajtur anti-kushtetuese normën e statusit që kandidati t’i ketë 177 vota për t’u kandiduar për kryetar të partisë.
“Kandidatura do të ndodh në Kuvend. Aty do të vendoset gjithçka. Është antikushtetutese. Është vendosur në status, një normë që përjashton kandidaturën e lirë të secilit anëtar, sepse të gjithë janë të barabartë. Jam nga njerëzit dhe nga strukturat, kam punuar më së shumti në statusin e LDK’së. Kjo normë ka shkaktuar probleme dhe mospajtime të delegatët. Nuk e di si është numri final i konkurrentëve, por e di që një pjesë mund të vijë përmes kësaj norme, kufizon të drejtën e disa kandidatëve”, ka thënë Sejdiu në Debat Plus në RTV Dukagjini.
Ai ka thënë tutje se ai ishte i interesuar të kandidonte edhe në vitin 2015, por atëherë gjërat kanë rrjedhur më ndryshe.