Fatmir Sejdiu tregon se përse e lexoi Hashim Thaçi deklaratën e pavarësisë

23:21 | 03 August 2021

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se versioni përfundimtar i deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, është bërë në bashkëpunim me amerikanët.

Sejdiu, në një rrëfim për Pressing ka thënë se ai, ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, ishin të përfshirë në formulimin e deklaratës, mirëpo, sipas tij, rol më të madh kanë pasur edhe ndërkombëtarët.

“Është një tekst për të cilin më shumë kanë punuar ndërkombëtarët. Pjesën finale e kemi punuar bashkë. Kemi qenë tre veta, unë, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri dhe këshilltari im, Skenderi në atë kohë”, ka thënë ai.

Sipas Sejdiut, ka pasur versione të ndryshme nga funksionarë të asaj kohe, por në fund është bërë versioni përfundimtar në zyrën e misionit amerikan në Kosovë.

“Ka pas versione të ndryshme. Jakupi për shembull e ka pasur një version të vetin, dikush tjetër të vetin. Versioni i fundit është bërë në zyrën e misionit amerikan”, ka thënë Sejdiu.

Ndërkaq, Sejdiu ka thënë se deklarata është dashur të lexohej nga dikush brenda Kuvendit dhe jo nga Hashim Thaçi, i cili ishte kryeministër në atë kohë.

“Ajo ka qenë çështje e parlamentit. As unë as kryeministri s’kemi qenë deputet”, ka thënë Sejdiu.

Komento: