
Gjykata e Prishtinës i ka vazhduar masën e paraburgimit Fatmir Shehollit për edhe dy muaj, i dyshuar për spiunazh.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi. Ajo ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar vazhdimin e masës së paraburgimit për dy muaj të tjerë.
Masa do të vlejë deri më 8 maj 2026. Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025 nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit. Hetimet ndaj tij vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë Speciale./Telegrafi.