Faton Peci: Nuk ndalemi as gjatë vikendit për rend dhe pastërti

14:26 | 25 Janar 2026
faton-peci:-nuk-ndalemi-as-gjate-vikendit-per-rend-dhe-pasterti

Komuna e Mitrovicës ka vijuar angazhimin intensiv edhe gjatë vikendit, duke ndërmarrë një sërë intervenimesh konkrete në funksion të përmirësimit të rendit, rregullit dhe cilësisë së jetës për qytetarët.

Sipas një postimi nga kryetari Faton Peci, aksionet janë realizuar përmes bashkëpunimit të drejtorive komunale, me fokus në mirëmbajtjen e përgjithshme të qytetit dhe ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët.

“Nëse duam një qytet normal, kërkohet angazhim institucional, por edhe mbështetja dhe përgjegjësia e secilit qytetar,” ka shkruar Peci, duke theksuar përkushtimin maksimal për ligj dhe rregull.

Gjatë këtij vikendi janë realizuar disa ndërhyrje të rëndësishme, përfshirë largimin e një deponie ilegale pranë kopshtit të fëmijëve, e cila për vite me radhë kishte qenë problem i pazgjidhur për banorët e zonës. Po ashtu, është bërë largimi i shitësve nga trotuaret dhe rrugët publike, duke i sistemuar ata në hapësira të dedikuara që garantojnë siguri ushqimore dhe qarkullim të lirë për këmbësorët.

Peci ka njoftuar se në kuadër të aksioneve mjedisore, është realizuar pastrimi i lumit Trepça, ndërsa në zonën e Lisicëve është intervenuar për të parandaluar shembjen e rrugës si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Një tjetër veprim ka qenë edhe rrënimi i objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në hapësira publike.

“Mitrovica do të jetë qytet funksional, i pastër, i gjelbër dhe i sigurt për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Peci, duke u bërë thirrje qytetarëve për bashkëpunim dhe respektim të ligjit.

Komento: