
Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka bërë të ditur se do të dorëzojë një kallëzim penal ndaj disa individëve dhe mediave për, siç thotë ai, manipulime të qëllimshme gjatë procesit zgjedhor. Në një deklaratë publike, Peci akuzon emra të njohur të opinionit publik dhe mediave si Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë, për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve dhe falsifikim të rezultateve të votimit.
Sipas Pecit, gjatë ditës së zgjedhjeve janë ndërmarrë veprime të sinkronizuara dhe të paligjshme përmes shpifjeve, linçimeve mediatike dhe publikimit të “exit poll-eve” të pavërteta, që sipas tij nuk përfaqësonin aspak realitetin e votës në Mitrovicë.
Ai ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm dhe të drejtë nga institucionet e drejtësisë dhe ka premtuar publikimin e fakteve dhe dëshmive shtesë në ditët në vijim, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbrojtur vullnetin qytetar dhe për të garantuar transparencë maksimale.
“Respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor,” përfundon deklaratën kandidati Peci.