Faturat e larta të energjisë/ Avokati i Popullit do të kërkojë sqarim nga ZRrE-ja

15:14 | 26 Dhjetor 2023
faturat-e-larta-te-energjise/-avokati-i-popullit-do-te-kerkoje-sqarim-nga-zrre-ja


Shumë qytetarë janë ankuar ditëve të fundit se faturat e energjisë elektrike për shpenzimet e dhjetorit ka qenë më e lartë se muajt e fundit.

Kjo ka ngjallur reagime në publik.

Nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) kanë deklaruar se nëpërmjet faturave të fryra të energjisë elektrikë për muajin dhjetor, KEDS-i po vjedh paranë e qytetarëve, duke kërkuar reagim të institucioneve “ndaj kësaj plaçkitjeje legale”.

Madje, nga ky institucion kanë kërkuar hetim urgjent nga Prokuroria, pasi faturat i kanë quajtur “jonormale”.

Për një gjë të tillë, Front Online ka marr një qëndrim edhe nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

Ai ka thënë që deri tani nuk kanë marrë ankesa, përveç atyre që kanë dëgjuar në media.

Por ai nuk hedh poshtë mundësinë për hetim të rastit.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë ankesë për këtë rast, përveç se çfarë kemi dëgjuar në media dhe nuk kam ndonjë vlerësim ose opinion për këtë. Por që duhet me u hetu pasi që ka ankesa nga qytetarët patjetër që duhet. Për momentin nuk kemi ndonjë vlerësim, nuk kemi opinion, nuk i dimë as rrethanat se çfarë ka ndodh, vetëm kemi parë reagime prej qytetarëve që ka pas shtrenjtim të faturës, mirëpo më tepër nuk dimë”, u shpreh ai.

Nëse është bërë shtrenjtim i rrymës pa paralajmërim, Qelaj thotë se është plotësisht shkelje.

Megjithatë për qartësim, Qelaj thotë se do të kërkojnë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) një përgjigje.

“Pa dyshim që është shkelje, faturat në raport me konsumatorin për shërbimet e kësaj natyre gjithmonë kanë qenë transparent, duhet edhe me përshkruar natyrën e rritjes, nëse ka pas rritje. Për me e vërtetu këtë neve na duhet me hetu. Po besoj që ditëve në vijim kemi me iu drejtu ZRRE-së, edhe kemi me marr një përgjigje”, tha ai për Front Online.

Front Online ka kontaktuar me zyrtarë të KESCO-s, por se ata kanë thënë se janë në përgatitje të një komunikate sqaruese.

Portali ka dërguar pyetje edhe tek ZRrE, mirëpo nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.

Për këtë çështje, ka pasur reagime të ashpra edhe nga partitë opozitare./Front Online/

 

 

 

 

 

 

Komento: