Faza e fundit e bisedimeve Kosovë-Serbi, Tahiri thotë se Rusia nuk duhet të përfshihet

14:25 | 16 August 2019

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka tash e një kohë që ka ngecur.

Faza e fundit e bisedimeve Kosovë – Serbi nxehu gjakrat në dialog, kur në Kosovë u vendos taksa prej 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

Tash kur ka muaj që dialogu me ndërmjetësim të BE-së po qëndron pezull, Rusia është vetofruar që të jetë pjesë e dialogut.

Sinjale për këtë ka pak ditë që ka dërguar edhe ambasadori rus në Serbi. Ish-ministrja Edita Tahiri po e konsideron këtë si skenar të rrezikshëm, që pamundëson arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Ish-ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se në asnjë mënyrë Rusia nuk duhet të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel, sepse në këtë mënyrë do të ishte faktor pengues për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Rusia nuk duhet të jetë pjesë e Dialogut të Brukselit sepse do ishte një faktor pengues për arritjen e marrëveshjes për fqinjësi paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, ashtu sikurse ishte në Konferencën ndërkombëtare të Rambujesë dhe bisedimet për statusin në Vjenë”, thotë Tahiri.

Ajo thekson se dihet tashmë se Rusia është duke bërë përpjekje për destabilizim të Ballkanit, kjo në forma e me mjete të ndryshme.

“Tashmë është e njohur se Rusia po bënë përpjekje për ta destabilizuar gjithë Ballkanin me mjete të ndryshime, diplomatike, ekonomike e ushtarake, që burojnë nga ambiciet a saja gjeopolitike për të rikthyer ndikim e humbur në rajonin tone”, shton tutje.

Ish-ministrja për Dialog, ka përmendur edhe krijimin e ‘Serbisë së Madhe’, që shton se po projektohet në këtë kohë nga Rusia së bashku me Serbinë, teksa, përmend edhe idenë për shkëmbim të territoreve, që sipas saj ende nuk është zhdukur nga tavolina e bisedimeve.

“Rusia së bashku me Serbinë po punojnë për krijimin e “Serbisë së Madhe” prandaj dhe bënë tentime të dëshpëruara për të nxitur idetë e ndryshimit të kufijve, të cilat Kosova dhe aleatët tanë perëndimor e kundërshtuan fuqishëm”, ka thënë ajo.

Tahiri ka përmendur edhe faktin që nuk ka shumë kohë prej kur Rusia ka dërguar edhe armatim për ushtrinë serbe.

“Shumë më i rrezikshëm është fakti se Rusia është duke armatosur Serbinë duke krijuar disbalanse të rrezikshme ushtarake që kërcënojnë boshtin e sigurisë euro-atlantike dhe rolin e NATO-s në rajonin e Ballkanit”, thotë ajo, derisa shton se është koha që Shtetet e Bashkuara të shtojnë prezencën ushtarake në rajon.

“E kam thënë shumë herë, po e përsëris, është koha që SHBA ta forcojnë prezencën ushtarake në rajon, duhet këto forca të vendosen në Kosovë për të krijuar mbrojtjen e gjithë rajonit nga prezenca ushtarake e Rusisë në Serbi, në qendrën ushtarake në Nish”, ka përfunduar Tahiri.

Ditë më parë ndërkaq, ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandër Botsan-Kharchenko, ka thënë se Moska mund të përfshihet në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. I njëjti tha se një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës e Serbisë do të duhej të konfirmohej në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Rusia para së gjithash ka një qëndrim gjeneral, qasje gjenerale, që neve na konvenon gjithçka që i konvenon Serbisë, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Nëse do të ketë zgjidhje, nëse palët merren vesh rreth ndonjë opsioni, atëherë ky opsion do të duhet të përkrahet edhe nga Këshilli i Sigurimit”, ka deklaruar Botsan-Kharchenko.

I pyetur a ka Rusia vija të kuqe, diplomati rus ka përmendur Rezolutën 1244, dhe përsëri ka thënë se mbështesin atë vendim që është në interes të Beogradit dhe në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Botsan-Kharchenko e ka kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sipas tij, për t’u gjetur një zgjidhje për rajonin duhen veprime të bashkësisë ndërkombëtare.

“Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë në kuptim të vendosjes së dialogut apo rifillimit të dialogut ekzistues. Nëse Beogradi na kërkon që t’i ndihmojmë në Këshill të Sigurimit, në raportet tona me BE-në, Uashingtonin, ne jemi të gatshëm. Nëse Serbia apo ndonjë faktor tjetër kërkon që të përfshihemi, ne së pari duam që të sigurohemi të dimë për përmbajtjen. Ne duam të sigurohemi se ky dialog zhvillohet në mënyre strikte, në kuadër të së drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 1244”, ka përfunduar ai.

Komento: