Federata e Brazilit lëshon komunikatë për Ancelottin

19:38 | 10 February 2023

Komunikata e Federatës së Brazilit për Ancelottin.

Federata e Futbollit të Brazilit (CBF) ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën insistoi se Carlo Ancelotti nuk është trajneri i ri i kombëtares.

Spekulimet vazhdojnë të qarkullojnë, mbi të gjitha nga ‘ESPN’, e cila pretendon se një marrëveshje veçse është arritur që Ancelotti të marr drejtimin e Kombëtares së Brazilit pas përfundimit të këtij edicioni, transmeton lajmi.

Ish-trajneri i Milanit, Juventusit, Chelseat, PSG dhe Bayern Munichut i mohoi vetë këto spekulime, edhe pse si duket fjalët e tij nuk kanë bërë një ndryshim të madh nëpër media.

Tani, CBF ka marrë një hap jo të zakonshëm duke lëshuar një komunikatë përmes së cilës bënë të ditur se Carlo Ancelotti nuk është trajneri i ri i kombëtares.

“Konfederata Braziliane e Futbollit (CBF) bën të ditur se lajmi i publikuar këtë të premte (10/02) se trajneri i Real Madridit, italiani Carlo Ancelotti, është trajneri i ri i kombëtares braziliane është i pabazuar.

Presidenti Ednaldo Rodrigues qëndron pas deklaratave të dhëna të mërkurën, pas hedhjes së shortit të ndeshjeve për Kupën e Brazilit. Në atë kohë, zyrtari mohoi spekulimet, duke thënë se çështja trajtohet në mënyrë transparente dhe se trajneri i zgjedhur do të shpallet në kohën e duhur”, shkruante në komunikatën e Federatës së Brazilit.

Pas dështimit në Kupën e Botës “Katar 2022”, Brazili është lidhur me një sërë trajnerësh të klubeve evropiane, duke përfshirë edhe trajnerin e Romës, Jose Mourinho.

Komento: