Kontot e ‘mbushura’ me para i kanë edhe fëmijët e politikanëve tonë.
Pa asnjë ditë pune, fëmijët e politikanëve kanë arritur që të “kursejnë” me mijëra euro në bankat e vendit.
Djali i Presidentit Thaçi, Endriti ndonëse nuk punon askund ka rreth 14 mijë euro para ta gatshme në banka. Lista vazhdon me fëmijët e këshilltarit të Presidentit, Rrustem Mustafës. Fëmijët e Remit kanë 63 mijë euro “cash”. Edhe fëmijët e Lutfi Hazirit kanë rreth 13 mijë euro në xhirollogaritë e tyre.
Fëmijët e politikanëve duket se kanë vendosur që të ndjekin rrugën e prindërve për tu bërë milionerë. Të rinj në moshë e pa punuar asnjë ditë të vetme, ata kanë arritur që të grumbullojnë me mijëra euro në kontot e tyre.
Përveç parave “cash”, ata pritet që të trashëgojnë nga prindërit edhe pasuri të tjera të paluajtshme në vlera milionëshe.
Një të ardhme të tillë e ka para vetes edhe pasardhësi i Presidentit të Kosovës. Fëmija i vetëm i Hashim dhe Lumnie Thaçit është vetëm 20 vjeçar, por në llogarinë e tij derdhen me mijëra euro çdo vit.
Aktualisht, ai ka në xhirollogari 13 mijë e 500 euro.
Endrit Thaçi njihet edhe për udhëtimet e tij luksoze. Derisa kur ishte fëmijë vizita e tij më e largët e tij ishte në Burojë të Skenderajt, tashmë shtete si Zvicra, Gjermania, Franca, Turqia, SHBA’të, Italia e Austria janë kthyer në destinacione ku ai i kalon pushimet çdo vit.
Një e ardhme e ndritur i pret edhe fëmijët e ish-komandantit të UÇK’së, Rrustem Mustafës i njohur si Remi. Fëmijët e këshilltarit të Presidentit Thaçi, edhe pse në moshë të re, kanë në xhirollogari rreth 63 mijë euro.
Përveç parave, ata pritet të trashëgojnë edhe shtëpinë e tokën që i përket babait të tyre, dhe veturën 20 mijë euroshe të tij.
Paratë e gatshme nuk iu mungojnë as fëmijëve të Kryetarit të Gjilanit.
Fëmijët e Lutfi Hazirit kanë para të gatshme nëpër institucionet financiare të vendit në vlerë rreth 13 mijë euro. Ata do të trashëgojnë edhe 13 tokat që ka familja e tyre e që e bëjnë të parin e Gjilanit milioner.
Vlera e këtyre tokave sillet rreth 2 milionë euro. Përveç tokave, ata do të mund të trashëgojnë edhe 120 mijë eurot që ai i mban në banka, dhe 80 mijë të tjera që iu janë lënë nga gjyshi.
Pasuri të madhe kanë edhe fëmijët e milionerit Agim Bahtiri. Të hyrat vjetore që ata marrin nga kompania e kërpudhave që operon jashtë vendit shkojnë në më shumë se 300 mijë euro.
Edhe ata pritet të trashëgojnë tokën bujqësorë që Bahtiri ka në pronësi kushton më shumë se 6 milionë euro. Ata mund të jenë edhe pronarët e ardhshëm të katër shtëpive që i posedon babai i tyre aktualisht.
Para të kursyera në bankat e vendit kanë edhe fëmijët e milionerit Pal Lekaj. Rreth 10 mijë euro është shuma e parave të gatshme që kanë ata aktualisht nëpër institucione financiare.
Fëmijët e tij në të ardhmen pritet ta trashëgojnë tokën në vlerë 1.5 milionë euro që prindi i tyre ka në pronësi, dhe dy veturat e tij që kanë vlerë 30 mijë euro.
Gazeta Express ka raportuar dje gjatë ditës se si shumica e politikanëve i kanë bërë milionat. Bëhet fjalë për zyrtarët e shtetit, pasuria e të cilëve arrin vlera marramendëse.
Behgjet Pacolli, Agim Bahtiri, Pal Lekaj, Lutfi Haziri, Gazmend Muhaxheri e Ramiz Kelmendi, janë vetëm disa prej zyrtarëve që zotërojnë toka, banesa, shtëpi, vetura, avionë e mijëra euro para të gatshme.
Deklarimet e pasurisë për të gjithë zyrtarët publikë mund t’i gjeni në këtë link.