Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, për FrontOnline thotë se PDK-ja është më e fuqishme se kurrë në 10 vitet e fundit dhe e ka kandidatin më të përshtatshëm për drejtimin e vendit në periudhën që po kalon Kosova.
“PDK qëndron si asnjëherë më parë në 10 vitet e fundit. PDK e ka kandidatin më adekuat për kohën dhe rrethanat që i kërkon ekonomia e vendit dhe gjendja sociale e politike”, tha Shala.
Shala ka theksuar se partia është aktive dhe e mobilizuar më shumë se kurrë, duke shtuar se qytetarët po besojnë te kandidati i PDK-së, Bedri Hamza.
‘’PDK është në avantazh sepse e ka listën kandiduese si asnjë parti tjetër, pastaj PDK është aktive, e mobilizuar si kurrë më parë, ne shpalosim programin më të mirë të mundshëm’’ u shpreh ai.
Ai ka theksuar se PDK prin në besueshmëri dhe në përqindje, dhe se partia do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së ardhshme.
‘’Oferta jonë është reale, e prekshme e mundshme dhe qytetarët po besojnë në Bedri Hamzën. PDK prinë në secilin aspekt, edhe në përqindje edhe në besueshmëri. PDK do të jetë udhëheqëse e Qeverisë së ardhshme dhe kryeministër do të jetë Bedri Hamza” përfundoi Shala.