
Kryetari i Komisionit për Ekonomi, njëherit deputet i PDK-së, Ferat Shala në një intervistë për Front Online ka thënë se është skeptik që në vitin e ardhshëm do të ketë rritje ekonomike.
Dhe këtë e thotë për shkak se këtë vit ka pasur shkallë të ulët në investime kapitale.
Ani pse deklaron se mjete ka mjaftë por se po shkojnë në kategori sociale me anë të ndihmave.
“Mjete ka mjaftë por krejt shkojnë në kategori sociale me anë të ndihmave. Do të thotë ne jemi relativisht skeptik sa i përket trendit të rritjes ekonomike sepse nuk po shohim seriozitet në planifikim, në shpërndarje të mjeteve, në investime kapitale, në thithjen e investitorëve strategjikë, nuk po shohim seriozitet në heqjen e sanksioneve që faktikisht mekanizmat ndërkombëtarë na i kanë vendosur”, ka shtuar ai.
Deputeti Shala, thotë se pret që kjo Qeveri të ndryshojë në mënyrë që të hiqen edhe sanksionet nga Bashkimi Evropian, në të kundërtën vitin e ardhshëm do të ketë regres.
“Kur Bashkimi Evropian dhe shtetet më të mëdha ekonomike, fuqia ekonomike të vë sanksione zhvillimore ekonomike në fonde ne definitivisht është si me thënë anomali e madhe logjike të mendosh se do të kemi një zhvillim ekonomik. Presim, që të ndryshojë kjo Qeveri, presim që të lobojë më shumë dhe të jetë e disiplinuar në bashkëpunim ndërkombëtar, presim që të zbuten sanksionet e Bashkimit Evropian dhe dikund rreth 300 milionë euro të zhbllokohen të cilat janë fonde të bllokuara, presim që të ndërroj qasja me investitorët e jashtëm. Në të kundërtën ne do të kemi regres”, ka thënë ndër të tjera Shala./Front Online