Ish-trajneri legjendar i Manchester Unitedit, Sir Alex Fergusoni, mungoi në ndeshjen e Premierligës të “Djajve të kuq” kundër Fulhamit, pasi që këtë gjë ia kishin kërkuar mjekët e tij, të cilët ishin të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të skocezit.
Fergusoni, i cili u largua nga pozita e trajnerit të Manchester Unitedit në vitin 2013 pas 26 viteve në këtë pozitë, u detyrua të bëhej urgjentisht operacion në fillim të majit të këtij viti, pasi që kishte pasur gjakderdhje në tru.
Skocezi e publikoi një video në korrik, përmes faqes zyrtare të ‘Djajve të kuq”, ku e falënderoi stafin në spitalin Salford Royal, që i kishin ndihmuar në rrugën e tij drejt shërimit, si dhe kishte thënë se mezi ishte duke pritur për t’u kthyer përsëri në Old Trafford për t’i shikuar ndeshjet e ish-klubit të tij.
Brenda nëntë ditëve, skocezi i përcolli tri ndeshje të Manchester Unitedit, përfshirë këtu edhe atë që klubi anglez e zhvilloi si mysafir në jug të Anglisë, kundër Southamptonit. Dy ndeshjet e tjera ishin: fitorja 1-0 kundër Young Boys dhe barazimi 2-2 kundër Arsenalit.
Stafi mjekësor i Fergusonit e kishin këshilluar skocezin të mos shkonte për ta përcjellë ndeshjen kundër Fulhamit. Ai mungoi edhe në ndeshjen e mbrëmshme kundër Valencias, mirëpo kjo mungesë u arsyetua për shkak se ndeshja ishte në Spanjë.