Fermerët e zhgënjyer nga ky vit: Shumë punë e pak para

20:32 | 22 Korrik 2023
fermeret-e-zhgenjyer-nga-ky-vit:-shume-pune-e-pak-para

Familja Sallahi nga fshati Zllatar i Ferizajt, që kanë të mbjella me grurë rreth 100 hektarë, kanë nisur korrjet megjithëse janë të pakënaqur me rendimentin e këtij viti. Për shkak të reshjeve edhe korrjet nisën disa ditë me vonesë se zakonisht, por temperaturat ua shtuan edhe kostot këtë vit.

Të zhgënjyer janë edhe me qeverinë, pasi vlerësojnë se shteti duhet t’i ndihmojë më shumë.

Fermeri Shukri Sallahi, thotë se përveç se nuk u plotësua rendimenti që kishte pritur, ai shton se edhe çmimi i grurit që do të shesin këtë vit është më i ulët.

56-vjeçari i cili merret me bujqësi më shumë se dy dekada, këtë vit e konsideron më të dobëtin në histori sa i përket rendimentit. Ai thotë se prej kohës kur punon me bujqësi, nuk ka hasur në ndonjë vit më të vështirë se ky.

Nga lagështia e madhe, Sallahi tha se i janë dëmtuar rreth 3 hektarë me grurë. I njëjti shpreson që të paktën të mos dalë në humbje.

Sallahi, i cili punon edhe me dy vëllezërit e tij, thotë se këtë vit shpenzimet kanë qenë më të larta.

Brengë për familjen Sallahi është edhe çmimi më i ulët i grurit që do e shesin sivjet. Sipas tij, çmimi për kilogram këtë vit është rreth 21 cent.

Sallahi ka adresuar edhe një vërejtje për Qeverinë e Kosovës, që t’i jepet prioritet bujqve me më shumë hektarë të mbjella.

Sipas të dhënave, në Ferizaj janë 4000 hektarë të mbjella me grurë./Gazeta10

Komento: