Fermeri që u frymëzua nga fitimet këtë vit, synon të rrisë të mbjellat në 2024-ten

09:49 | 30 Dhjetor 2023
fermeri-qe-u-frymezua-nga-fitimet-kete-vit,-synon-te-rrise-te-mbjellat-ne-2024-ten


Derisa një fermer në rajonin e Dukagjinit ka shitur një kilogram speca deri në 1 euro, në rajonin e Prishtinës nuk ka ndodhur e njëjta gjë.

Në këtë pjesë kilogrami i specave është shitur nga 1.20 deri në 1.50 euro.

Këtë e ka treguar për Front Online fermeri L.Xh.

Ai madje me vetëm 35 ari speca e domate ka arritur të fitojë rreth 25 mijë euro.

“Kam pasur të mbjella 15 ari speca dhe 20 ari me domate. Kam fituar afro 25 mijë euro, kurse shpenzime rreth 3 mijë euro”, ka treguar ai.

Për këtë fermer ky vit ka qenë shumë më i mirë se vitin e kaluar.

Thotë se ka arritur ta fitojë dyfishin e asaj që ka fituar në vitin 2022.

“Po ky vit në krahasim me vitin e kaluar si për nga rendimenti, ashtu edhe sa i përket çmimit, ka qenë shumë më i mirë se vitin e kaluar, apo me saktësisht dyfish më shumë. Vitin e kaluar çmimi i specave ka qenë 60-70 cent kilogrami, derisa këtë vit çmimi ishte nga 1.20 cent deri në 1.50 cent, derisa çmimi i domateve vitin e kaluar ka qenë mesatarisht 50-60 cent, ndërsa këtë vit ka qenë mes 1-1.20 cent kilogrami”, është shprehur fermeri L.Xh për Front Online.

E fitimi i madh që i ka ndodhur në vitin 2023, këtij fermeri ia ka mbushur mendjen që për vitin 2024 të zgjerojë hapësirën e sipërfaqes me të mbjella.

“Natyrisht se do të vazhdoj me kultivimin e perimeve edhe vitin e ardhshëm dhe gjithashtu planifikoj edhe rritjen e sipërfaqes me të mbjella. Planifikoj që speca të mbjell rreth 40 ari, ndërsa domate rreth 30 ari”, ka treguar ai për Front Online.

Por, pavarësisht kësaj thotë se viti 2023 për nga cmimi do të jetë i papërsëritshëm.

“Unë mendoj se ky vit do të jetë i papërsëritshëm kur bëhet fjalë për çmimin, pasi këso çmime të perimeve nuk ka pasur një kohë të gjatë. Prandaj jam shumë i kënaqur me çmimin dhe fitimet e këtij viti”, ka thënë ndër të tjera ai.

 

 

Komento: