Fernando Santos më nuk do të jetë trajner i Portugalisë. Mediumet portugeze të martën kanë raportuar se largimi i Santosit do të zyrtarizohet brenda kësaj jave.
Mësohet se Santos ka arritur marrëveshje me Federatën e Futbollit të Portugalisë për shkëputjen e kontratës, e cila i skadon në verën e vitit 2024.
Portugalia është eliminuar në çerekfinale të Kupës së Botës “Katari 2022”, ndërsa Santos është përballur me kritika të shumta pas humbjes 1:0 ndaj Marokut.
Po ashtu, Santos është fajësuar për eliminimin e Portugalisë, pasi në dy ndeshjet e fundit të turneut të Katarit e kishte lënë kapitenin Cristiano Ronaldo në stol.
Santos është në krye të Portugalisë prej vitit 2014, ndërsa nën drejtimin e tij, portugezët janë shpallur kampion të Evropës dhe kanë triumfuar në Ligën e Kombeve.