“Nikli” ka shkruar histori sonte në “Fadil Vokrri”
KF Feronikeli ka siguruar raundin e parë në Ligën e Kampionëve, pasi ka arritur të triumfojë në finalen parakualifikuese përballë FC Santa Coloma.
Kampionët e Kosovës, në një ndeshje aspak të lehtë dhe me një lojtar më pak në fushë, kanë arritur të përmbysin kampionët e Andorras, për të fituar me rezultat 2:1.
Pjesa e parë e ndeshjes përfundoi 0-0, me Feronikelin që kishte dy mundësi të mira shënimi përmes Mevlan Zekës.
Pjesa e dytë, nisi në mënyrën më të keqe të mundshme për ‘Niklin’, që mbeti me një lojtar më pak pas ndëshkimit me karton të kuq të Yll Hoxhës, në minutën e 49’.
Minuta e 52’, solli golin e epërsisë për mysafirët, që shënuan me anë të Chus Sosa.
Nuk vonoi shumë, dhe KF Feronikeli e barazoi rezultatin, në 1:1 nëpërmjet Melvan Zekës, që shënoi një super gol.
Edhe pse me një lojtar më pak, skuadra nga Drenasi nuk u dorëzua asnjëherë, duke arritur edhe golin e fitores, kur në minutën e 87’ shënoi Kastriot Rexha.
Në raundin e parë, KF Feronikeli do të takohet me skuadrën nga Uellsi, The New Saints FC.