Festat e fundvitit me pasoja, rritet numri i lëndimeve nga mjetet piroteknike

14:26 | 05 Janar 2026
Festat e fundvitit me pasoja, rritet numri i lëndimeve nga mjetet piroteknike

Gjatë festave të fundvitit, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë trajtuar dhjetëra pacientë të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.

Sipas njoftimit, pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë, ndërsa lëndimet e trajtuara kanë qenë kryesisht në duar, veçanërisht në gishtërinj.

Në disa raste, këto lëndime kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz.

Po ashtu, në Klinikën e Kirurgjisë Plastike janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të shkaktojnë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata.

Aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar në këtë klinikë për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, të cilat kërkojnë mjekim të vazhdueshëm dhe trajtim të specializuar.

Nga ShSKUK theksohet se lëndimet nga mjetet piroteknike shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë.

Klinika e Kirurgjisë Plastike u ka bërë thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët. /Telegrafi/

Komento: