“Festat mund të shndërrohen në zi, nëse ulim vigjilencën”

10:47 | 12 December 2020

OBSH vjen me një paralajmërim të frikshëm me rastin e festave të fundvitit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje për vigjilencë shtesë gjatë sezonit të festave, ndërkohë që numri i viktimave nga COVID-19 është rritur me 60 % në gjashtë javët e fundit.

“Sezoni i festave është një kohë pushimi dhe festimi, por ne nuk duhet të ulim vigjilencën tonë. Festa mund të shndërrohet shumë shpejt në zi, nëse nuk marrim masat e duhura paraprake”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një konferencë shtypi.

“Personat që jetojnë në një zonë me transmetim të lartë duhet të marrin në konsideratë me shumë kujdes planet e tyre të pushimeve për të garantuar sigurinë e të gjithëve. Kjo mund të jetë dhurata më e madhe që keni, dhurata e shëndetit, jetës, dashurisë, gëzimit dhe shpresës”, shtoi ai.

Shumë vende europiane raportuan nivele shumë të larta infektimesh nga COVID-19, ndërsa pandemia është në rritje më shumë se kurrë edhe në SHBA.

Pandemia ka shkaktuar të paktën 1,580,721 viktima dhe mbi 69.5 milion raste në të gjithë botën, sipas një raporti nga agjencia franceze AFP.

Komento: