Fetiu: Askush nuk e do bijën time më shumë se unë, qëllim e kisha ta qetësoja

22:25 | 10 November 2024

Videoja ku trajneri kosovar, Valmir Fetiu godet me shuplakë tetëvjeçaren, Valina Fetiun, të bijën e tij, pas humbjes nga serbja Nina Saviq, në Kampionatin Evropian të Taekwondo-së, mori dhenë gjithandej.

Lidhur me këtë, për Klankosova.tv ka folur vetë trajneri në fjalë i cili tha se goditja ka ndodhur në momentin që vajza ishte e çorientuar dhe e zemëruar nga humbja ndaj garueses serbe, ndaj qëllimi i tij ishte ta qetësonte.

Fetiu më tej shprehet se më shumë se ai nuk e do askush Valinën e cila është nënkampione.

“Ajo është vajza ime dhe më shumë se unë, nuk e do askush. Në momentin që vajza ishte e ç’orientuar dhe e zemëruar se humbi nga garuesja serbe, u shtri në tokë duke mos mundur me pranuar humbjen. Unë thjeshtë doja ta qetësoja dhe t’ia bëja me dije se përkundër humbjes, është nën-kampione dhe do të ketë raste tjera”, tha Fetiu.

Tutje, trajneri kosovar shton se me vajzën e tij, pra Valinën, ka punuar që 12 muaj për këtë garë dhe do të punojë gjithë jetën.

“Mediat në Kosovë kanë ra pre e propagandës serbe sepse ata u munduan t’i japin kahje tjetër atij momenti. Po e përsëris, unë jam babai i saj, edhe bashkëshortja ime, nëna e Valinës ishte aty pak metra pranë. Nuk mund ta dojë një serb apo boshnjak vajzën time më shumë se prindërit e saj. Unë kam punuar me Valinën qe 12 muaj për këtë garë dhe do të punoj krejt jetën time për të”, ka thënë ai për Klankosova.

Kampionati Evropian i Taekwondos për djem dhe vajza është mbajtur në Tiranë dhe ka zgjatur nga data 7 nëntor deri më sot.

Komento: