FFK kërcënon me largim nga KOK-u, shkak vendimi i KAS-it në favor të FC Prishtinës

15:57 | 30 October 2024

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar lidhur me vendimin e Komisionit të Arbitrazhit Sportiv të Kosovës lidhur me ankesën e Prishtinës.

Sipas vendimit të KAS-it, Prishtina nuk është licensuar për gara evropiane padrejtësisht nga Komisioni për Licensim në Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ndërkohë, në komunikatën e FFK-së thuhet se nuk e pranojnë vendimin e KAS-it, duke e fajësuar ish-sekretarin, Eroll Salihu.

Madje, FFK në komunikatë u shpreh se nëse vazhdohet kështu, do ta shqyrtojnë seriozisht mundësinë e largimit nga Komiiteti Olimpik i Kosovës, teksa i bëri thirrje KOK-ut dhe KAS-it që të rishikojnë këtë vendim

“FFK, si një anëtare e përkushtuar e KOK-ut, ka ndihmuar në përparimin e sportit në Kosovë, zhvillimin e KOK-ut dhe anëtarëve të tjerë, dhe duke kontribuar vazhdimisht për zhvillimin e futbollit dhe sportit në përgjithësi. Megjithatë, me keqardhje e shohim se KOK-u, duke lejuar një vendim të njëanshme si ky dhe të ndikuara nga interesa të caktuara, rrezikon besueshmërinë e tij si institucion i pavarur sportiv. Nëse njëanshmëria dhe mungesa e objektivitetit do të vazhdojnë, FFK do të shqyrtojë seriozisht mundësinë e largimit nga KOK-u, me qëllim që të mbrojë parimet e drejtësisë dhe zhvillimit të drejtë të futbollit. FFK i bën thirrje KOK-ut dhe KAS-it që të rishikojnë me kujdes këtë vendim dhe të shfaqin qartazi përkushtimin e tyre ndaj parimeve të drejtësisë sportive. Kjo qasje nuk i bën nderë KOK-ut pasi që qysh në fillimet e tij, KAS bën veprime të kundërligjshme dhe humb besimin organizatave sportive si organ i KOK-ut. Çdo vendim që ndikohet nga interesa individuale, dhe që dëmton sportin dhe integritetin e tij, është i dëmshëm jo vetëm për FFK-në por për të gjithë sportin kosovar”, thuhet ndër tjera në komunikatën e FFK-së.

Komento: