FFK thotë se kanë marrë konfirmimin nga FIFA se është pranuar ankesa për banerin e Serbisë

18:40 | 27 November 2022

FFK e ka mirëpritur reagimin e FIFA-s ndaj skandalit të shkaktuar nga Serbia para ndeshjes me Brazilin.

FFK-ja në reagimin e saj shprehet e lumtur fillimin e hetimeve lidhur me vendosjen në zhveshtore të banerit e cila ka hartën e Kosovës mbi të cilën shkruante “S’ka dorëzim”.

“Jemi të lumtur të shohim reagimin e shpejtë të FIFA-s, me rastin e fillimit të hetimit kundër Federatës së Futbollit të Serbisë pas shfaqjes së banerit me hartën e Kosovës me flamurin serb brenda saj dhe me mesazhe urrejtje dhe luftënxitëse në zhveshtoren e përfaqësueses serbe dhe në stadium, në ndeshjen ndërmjet Brazilit dhe Serbisë, në kuadër të Kupës së Botës në Katar”.

Federata shton se e ka marrë konfirmimin për pranimin e ankesës nga FIFA.

“Nga FIFA kemi marrë konfirmimin për pranimin e ankesës sonë dhe njëherësh kemi marrë vlerësimin e tyre të lartë për FFK-në, që përkushtohet për ruajtjen e integritetit e reputacionit të futbollit dhe që ankesa jonë tregon përkushtimin tonë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të cilat i afirmon FIFA”, thuhet në reagim.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në kontakt me organet përkatëse të FIFA-s për çdo informatë ose dokument shtese nëse kanë nevojë lidhur me hetimin e këtij rasti. Po ashtu, si FFK do jemi çdoherë të gatshëm të ruajmë dinjitetin e futbollit dhe reputacionin e Kosovës, duke reaguar dhe vepruar konform mekanizmave të FIFA-së dhe UEFA-s, në të cilat bëjmë pjesë”.

Komento: