FIFA Academy hap dyert për herë të parë në Kosovë

15:56 | 09 Shkurt 2026
fifa-academy-hap-dyert-per-here-te-pare-ne-kosove

FIFA Academy ka hapur dyert për herë të parë në Kosovë. Ky është një program zyrtar zhvillimi i krijuar nga FIFA, me qëllim identifikimin, edukimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në futboll, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Ky program po ashtu synon të ndërtojë një bazë të qëndrueshme për futbollin e së ardhmes, duke u fokusuar në cilësinë e trajnimit, edukimin sportiv dhe zhvillimin afatgjatë të lojtarëve të rinj.

“Me krenari njoftojmë se FIFA Academy është për herë të parë e pranishme në rajon, në Kosovë, nëpërmjet programit Talent Coach Program, duke shënuar një hap shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit vendor dhe rajonal. Prania e FIFA Academy në Kosovë sjell metoda moderne trajnimi, planprograme të certifikuara nga FIFA dhe një qasje profesionale, e cila përputhet me praktikat më të mira botërore”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kjo iniciativë përfaqëson një mundësi unike për fëmijët dhe të rinjtë që të zhvillohen në një ambient profesional, të sigurt dhe edukativ, duke ndërtuar jo vetëm aftësi futbollistike, por edhe vlera sportive dhe njerëzore.

“Nga data 7 shkurt 2026, ky projekt ka nisur me fazën e parë të implementimit, konkretisht me seleksionimin e lojtarëve të moshës 2013 në të gjitha regjionet e Kosovës. Pas qytetit të Ferizajt, sot ky program është zhvendosur në Gjilan, ndërsa aktivitetet seleksionuese do të zhvillohen edhe nesër, për të vazhduar më pas në qytetet e tjera”.

Komento: