Fifa ka shqiptuar gjobë ndaj Juventusit.
Një gjobë prej 37.200 eurosh nuk do të sjellë krizën te Juventusit që vetëm për Cristiano Ronaldon shpenzon 60 milionë euro në vit, por lajmi i një dënimi nga FIFA bën bujë për dy arsye.
Organi i lartë i futbollit global, në fakt, ka ndëshkuar bardhezinjtë për mënyrën se si kanë mundësuar shitjen e Medi Benatiasë te Al-Duhaili në janar të vitit të kaluar për 8 milionë euro. Shkaku i parë i bujës është fakti se gjoba është vendosur vitin e kaluar, por është zbuluar vetëm pak ditë më parë.
Për konfirmim, mjafton të hedhësh një sy në buletinin e Komitetit Disiplinor të FIFA-s. Shkaku i dytë, edhe më i çuditshmi, është motivacioni i këtij sanksioni. Juventus, bëhet e ditur, është ndëshkuar sepse në klauzolën e shitjes ka përfshirë një “gjobë” prej 5 milionë eurosh në rast se Al-Duhaili shiste Benatian përpara vitit 2021 te PSG-ja apo te një mes Interit, Lacios, Milanit e Romës.
Këto lloj “kushtesh” FIFA nuk i toleron e për këtë arsye ka vendosur të sanksionojë me gjobë bardhezinjtë, të cilët gjithsesi nuk do të futen në krizë për 37.200 euro.