Fillimi i hetimeve për mospërputhjen e votave – prokurorja Pula takohet me zv.drejtorin e Policisë

16:26 | 19 Janar 2026
fillimi-i-hetimeve-per-mosperputhjen-e-votave-–-prokurorja-pula-takohet-me-zv.drejtorin-e-policise

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurore Laura Pula  e shoqëruar nga menaxheri i projektit strategjik “Mbrojtja e Votës”, z. Besim Kusari  zhvilloi sot një takim pune me Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, si dhe me Drejtorin e Departamentit të Rendit Publik në Policinë e Kosovës, nënkolonel Arbnesh Ajvazi, shkruan Gazeta 10.

Temë kryesore e takimit ishte fillimi i hetimeve paraprake lidhur me mospërputhjet e evidentuara të votave gjatë procesit të numërimit brenda subjekteve politike për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurore Laura Pula, i informoi të pranishmit se, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave në rajone të ndryshme të vendit, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që, në komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe sigurimin e provave relevante, me qëllim të verifikimit të dyshimeve për kryerjen e veprave penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Po ashtu, Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje theksoi se, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për rinumërim të plotë të votave në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Prokurori i Shtetit do të intensifikojë veprimet për grumbullimin e provave të nevojshme në nivel vendi, në përputhje me kompetencat ligjore.

Nga ana e tij, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, potencoi se Policia e Kosovës ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe operative dhe se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, do t’u përgjigjet me përkushtim kërkesave të Prokurorit të Shtetit, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor./Gazeta 10

Komento: