Nisin hetimet për lagjen e familjes së Besim Beqajt.
Ndërtimi i lagjes superluksoze në Bellopojë të Pejës, nga babai dhe familjarë të ministrit Besim Beqaj, duket se nuk do të kalojë pa hyrë në “llupën” shtetit.
Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka nisur ta trajtojë këtë rast, pasi ka dyshime se si mund të bëhet ndërtimi i saj, kur pronari Jakup Beqaj nga deklarimet ndër vite nuk ka pasur në llogarinë bankare më shumë se 22 mijë euro para të gatshme.
Kjo lagje superluksoze në Bellopojë të Pejës ka filluar të marrë formë. Plani i familjes Beqaj është që të ndërtojë 57 shtëpi luksoze, ndërkohë deri më tani janë ndërtuar vetëm gjysma.
E ndërtimi i kësaj lagjeje është duke u parë me dyshime edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK).
Në një përgjigje për FaktePlus zyrtarë nga ky institucion kanë treguar se tashmë janë duke u marrë me këtë çështje.
Siç kanë thënë në Agjencinë Kundër Korrupsionit lënda ndaj “Peja Hill” është duke u trajtuar.
“Ju njoftojmë se rasti në fjalë është pranuar dhe është në procedurë, pra duke u trajtuar”, thuhet në përgjigjen e AKK-së.
Kujtojmë edhe një herë se pronarë të kësaj lagjeje janë Jakup Beqaj, babai i ministrit aktual Besim Beqaj, ndërsa si pronar figuron edhe një familjar tjetër i tij që e ka emrin Veton Beqaj, e i cili është një djalë i ri që është diplomuar në mars të vitit 2016.
Ndërsa, në kohën e njëjtë të diplomimit me Veton Beqajn është regjistruar si biznes në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve edhe ndërmarrja “Peja Hill”, shkruan FaktePlus.
Megjithëse, ndërtimi i lagjes duket të ketë kosto shumë të lartë prej miliona eurosh, ministri Besim Beqaj kur e ka deklaruar pasurinë në vitin 2018, ka treguar se në llogarinë bankare të babait të tij janë vetëm 22 mijë euro para të gatshme, të fituara nga pagat në biznesin e Jakup Beqajt, “The Cambridge School”.
Ndonëse, ka deklaruar të hyrat e babait, vetëm nga kolegji, ato nuk janë deklaruar edhe nga kompania “Peja Hill”.
Të hyrat e babait janë deklaruar nga viti 2015, dhe ato nuk e kapin shifrën e më shumë se 22 mijë eurove para të gatshme në bankë, mjete këto që janë përfituar kryesisht nga kolegji.
Lagja “Peja Hill” ka nisur të ndërtohet në vitin 2016 në pjesën jugperëndimore të Pejës, 2 km nga qendra e qytetit. Sipas ueb faqes zyrtare të “Peja Hill” lagja do të ketë 57 shtëpi banimi me 3 lloje të shtëpive (lloji A, B dhe C), të cilat kanë sipërfaqe të ndryshme.
Planin e shtëpive e ka bërë N.SH. “Cena” nga Peja dhe deri më tani “Peja Hill” është pajisur me 29 leje të ndërtimit nga Komuna e Pejës.
Me 14 leje të ndërtimore, Beqaj është pajisur në vitit 2018 për ndërtimin e shtëpive individuale. 6 leje i ka marr në nëntor, 1 në gusht dhe 7 në korrik. 12 leje janë marr në vitin 2017. Ndërsa, në korrik të vitit 2016 janë lëshuar 3. Në Komunë e Pejës kryetar që dy mandate është Gazmend Muhaxheri i LDK-së.