Nis fushata e korrjeve, Hoti dhe Mustafa premtojnë dyfishimin e subvencioneve për bujqësi.
Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Besian Mustafën, kanë marrë pjesë në fililmin e fushatës së korrje-shirjeve në Kosovë.
Në fshatin Shirokë të Suharëkës, Mustafa ka thënë se ministria të cilën ai e drejton edhe këtë vit do të vazhdojë me subvencionimin e grurit dhe 26 kulturave tjera bujqësore duke përfshirë këtu edhe pjesën e granteve që në total bëjnë 53 milionë euro grante dhe subvencione nga Ministria e Bujqësisë për Bujqësinë në Kosovë.
Gjithashtu edhe kryeministri Hoti ka premtuar se Qeveria do t’i mbështesë prodhuesit dhe bujqit e Kosovës.
“Jemi sot këtu për të filluar simbolikisht fushatën e korrjeve për sivjet. Sivjet ka qenë një vit specifik me mbylljen e kufirit dhe bizneseve për shkak të pandemisë. Kur përballemi me këto situata e shohim sa e rëndësishme është që ne të kemi bujq lokalë. Do t’ju qëndrojmë afër”.
“Bashkë me ministrin Mustafa jemi pajtuar që pjese e pakos për rimëkëmbjen ekonomike të jetë subvencionimi i bujqësisë – dyfishimi i subvencioneve në bujqësi”.
“Pres sa më parë që të kalojë buxheti në Kuvend dhe të fillojë zbatimi i pakos për rimëkëmbjes ekonomie”.
“Dëshiroj t’i lus deputetët që të organizohen në këtë kohë pandemie dhe të gjejnë format që sa më parë ta kalojmë edhe buxhetin edhe marrëveshjet ndërkombëtare që janë për rimëkëmbje ekonomike”.