Fillon realizimi i projektit për ndërrimin e elektrofiltrave

08:46 | 10 Shkurt 2020

Projekti i Bashkimit Evropian për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it pritet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm.

Kosova ka nënshkruar marrëveshjen e gjelbër me Bashkimin Evropian për rinovimin e termocentralit “Kosova B”, ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it, në vlerë prej 76.4 milionë eurosh.

Kjo marrëveshje thuhet se do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit në vend.

Projekti i Bashkimit Evropian për ndërrimin e elektrofiltrave dhe reduktimin e pluhurit dhe DENOX-it pritet të përfundojë në fund të vitit të ardhshëm.

Drejtori i Zyrës për Informim në KEK, Skender Bucolli, ka thënë për “Zërin” se sipas planifikimeve në njësinë “B-1” projekti do të përfundojë gjatë këtij viti, ndërsa në njësinë “B-2” do të përfundojë në fund të vitit 2021.

“Sa i përket përmirësimit të ambientit, deri më tani sfidë për KEK-un ka qenë ndërrimi i elektrofiltrave në TC ‘Kosova B’. Pra ka filluar faza e parë drejt ndërrimit të elektrofiltrave dhe zvogëlimit të gazrave nga TC ‘Kosova B’, të cilat do të jenë nën normat dhe standardet e BE-së. Ky projekt do të financohet nga BE-ja nëpërmjet fondeve të IPA-s. Sipas planifikimeve, në njësinë ‘B-1’ ky projekt do të përfundojë në fund të këtij viti, ndërsa në njësinë ‘B-2’ në fund të vitit 2021”, ka thënë Bucolli.

Sipas tij, sa i përket emetimit të pluhurit dhe gazrave edhe termocentrali “Kosova B” nga fundi i vitit të ardhshëm do të operojë konform standardeve dhe normave të lejuara të BE-së.

Bucolli ka thënë se termocentralet tani nuk mund të ndotin ajrin më shumë se që kanë ndotur më herët.

“KEK-u operon pa ndërprerje dhe si rrjedhojë edhe shkarkimet nga termocentralet janë konstante, pra termocentralet nuk mund të ndotin sot më shumë se dje ose para një jave. Ndërkohë që ndotja në Prishtinë dhe në rrethinë shënon rritje pikërisht në sezonin dimëror, kur fillon djegia e thëngjillit nga amvisëritë dhe nga bizneset në mënyrë të pakontrolluar. Madje ndotja e ambientit po ndryshon edhe gjatë ditës, pra shënon ngritje në orët e pasdites, kur qarkullimi i veturave është shumë më i lartë”, ka potencuar ai.

Komento: