Fillon seanca ndaj ish-deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës

10:15 | 24 September 2021

Nis seanca ndaj ish-deputetëve të akuzuar për gazin lotsjellës.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar seanca gjyqësore në rastin ndaj ish-deputetëve Haxhi Shala dhe Ismajl Kurteshi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.

Seanca e fundit në këtë rast ishte caktuar të mbahej më 2 shtator, por e njëjta ishte shtyrë në mungesë të avokates Teuta Zhinipotoku.

Ky rast ka qenë duke u gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, por tani lënda ka kaluar për gjykim në Departamentin e Përgjithshëm, tek gjykatësi Eroll Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ushtruar më 8 janar 2016, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se me datë 30 nëntor 2015, rreth orës 11:00, në Sallën e Seancave Plenare në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, me qëllim të ndërprerjes së punimeve të seancës, kanë hedhur gazin lotsjellës, të cilën e posedonin pa autorizim.

Sipas aktakuzës, derisa Kryetari i Parlamentit ishte duke i njoftuar deputetët me rendin e ditës, të akuzuarit Kurteshi dhe Shala e kishin aktivizuar gazin lotsjellës.

Për këto veprime, Ismajl Kurteshi dhe Haxhi Shala po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshme” nga neni 375 par.1 të KPRK-së.

Kurteshi dhe Shala po akuzohen edhe se kishin penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht pjesëtarët e Policisë dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Një gjë të tillë, Haxhi Shala akuzohet se e ka bërë në cilësinë e deputetit nga radhët e Nismës për Kosovën, ashtu që me disa deputetë të tjerë janë munduar që ta pamundësojnë shoqërimin në Polici të deputetit Albin Kurti nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës si dhe kishte hedhur gaz lotsjellës duke pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.

Kurse, Kurteshi akuzohet se në seancën e 30 nëntorit 2015, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit duke pamundësuar mbajtjen e seancës.

Për këto veprime, Kurteshi dhe Shala akuzohen edhe për veprën penale “Pengimi i personit zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së.

Komento: