Fillon takimi trepalësh ndërmjet Bislimit, Lajçakut dhe Petkoviqit në Bruksel

13:33 | 19 Mars 2024
fillon-takimi-trepalesh-ndermjet-bislimit,-lajcakut-dhe-petkoviqit-ne-bruksel

Në Bruksel ka filluar takimi trepalësh i të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorët e Prishtinës dhe Beogradit, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ku marrin pjesë edhe ekspertë të delegacioneve, transmeton FrontOnline.

Lajçak sot është takuar veçmas, fillimisht me Bislimin, e më pas edhe me delegacionin serb të udhëhequr nga Petar Petkoviq.

Bashkimi Evropian paralajmëroi një ditë më parë se do të rrisë presionin për të zbatuar marrëveshjen e arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Bisedimet, megjithatë, mund të errësohen nga ndalimi i dinarit serb në Kosovë – një temë për të cilën ka paralajmëruar edhe BE-ja.

Gjatë javës së kaluar, në Kosovë ishte i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Në një nga intervistat që ka dhënë, ai ka theksuar se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që të pezullojë vendimin për dinarët./FrontOnline/

Komento: