Veprimin e sotshëm të kryeministrit shqiptar Edi Rama, i cili ia mbylli sytë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Berlin, e ka komentuar edhe Blerim Latifi, i cili ka thënë se Rama ka talent të pashoq për të marrë vëmendjen e publikut.
Latifi ka përmendur veprën e Platonit “Ligjet”, ku demokracia përkufizohet edhe si teatrokraci.
Në vepër, sipas Latifit, politika merr formën e një shfaqjeje teatrale, ku aktorë janë politikanët.
“Në veprën e tij “Ligjet”, Platoni e përkufizon demokracinë si teatrokraci, që do të thotë një regjim ku politika shpesh merr formën e një shfaqje teatrale, në të cilën aktorë janë politikanët, që me aktrimin e tyre duan ta bëjnë për vete publikun. Duket se Edi Rama e zotëron më mirë se gjithë të tjerët këtë dimension të të bërit politikë në demokraci. Talenti i tij për të marrë vëmendjen duket i pashoq. Ai është një rrëmbyes i pamëshirshëm i vëmendjes së publikut”, ka shkruar Latifi.