
Barcelona e ka fituar trofeun e parë për vitin 2026. Katalanasit triumfuan 3-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës, e cila u zhvillua në Arabinë Saudite.
Ishte një ndeshje spektakolare, e mbushur me gola, kartonë të kuq dhe shumë dramë në fushë.
Fillimisht, Raphinha kaloi Barcelonën në epërsi në minutën e 36-të të ndeshjes. Në minutat shtesë të pjesës së parë, Vinícius Júnior barazoi shifrat, por vetëm dy minuta më vonë Robert Lewandowski e riktheu sërish Barcelonën në avantazh.
Megjithatë, drama nuk përfundoi aty, pasi në minutën e 45+6 të pjesës së parë, Gonzalo García shënoi për Real Madridin, duke barazuar rezultatin në 2-2.
Pjesa e dytë dhuroi vetëm një gol, por shumë tension dhe adrenalinë deri në fund.
Raphinha shënoi golin e fitores dhe të trofeut për Barcelonën në minutën e 73-të, duke kompletuar paraqitjen e tij të shkëlqyer.
Deri në fishkëllimën përfundimtare, Real Madridi u përpoq të barazonte rezultatin, por pa sukses, teksa Barcelona festoi fitimin e Superkupës së Spanjës.