Finalizohet projektligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030

09:08 | 21 November 2024
finalizohet-projektligji-per-organizimin-e-lojerave-mesdhetare-prishtina-2030

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është finalizuar Projektligji për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe se do të procedohet për votim në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë.

Kjo është bërë e ditur pas një takimi që ka zhvilluar kryeministri Kurti, përfaqësues të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, si dhe përfaqësues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë.

“Sipas këtij projektligji, Komiteti Organizativ do të udhëheqë me projektin më të madh sportiv në historinë e Republikës së Kosovës. Ai do të përbëhet nga ministra të Qeverisë, përfaqësues të Kuvendit të Republikës, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, nën udhëheqjen e Kryeministrit në cilësinë e kryesuesit të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Organizativ për Lojërat Mesdhetare, Prishtina 2030”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani falënderuan Sekretarin e Përgjithshëm të ICMG-së, Iakovos Filippousis për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa Komitetin Olimpik të Kosovës dhe Komunën e Prishtinës për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e treguar.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, do jenë ngjarja më e madhe sportive në histori të vendit, që përmes investimeve do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin dhe avancimin e infrastrukturës sportive, kurse përmes mikpritjes në përfaqësimin dhe promovimin ndërkombëtar të republikës sonë.

Lojërat Mesdhetare 2030 do të shtrihen në disa komuna të vendit tonë dhe në qytetin e Durrësit të Republikës së Shqipërisë.

Komento: