E përditshmja britanike, “Financial Times”, ka shkruar për situatën në veri të vendit. Në një artikull të publikuar, “Financial Times” thotë se serbët e veriut janë ata që po duan autonomi, duke rënë kështu në kundërshtim me diplomacinë perëndimore.
Për “Financial Times”, një zyrtar gjykate thotë se “ne kemi nevojë për autonomi. Dhe respektimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila e garanton përfaqësimin e barabartë në institucione”.
Më poshtë mund të lexoni një pjesë të artikullit të publikuar në Financial Times:
Marko Jaksiq, ishte aq i mbushur me atë që ai e përshkruan si shkelje të të drejtave të minoritetit serb, saqë iu desh të i bashkohej një eksodi të punonjësve të shërbimeve publike, që gjë e paralizoi këtë sektor atje.
Disa muaj më pas, qindra zyrtarë, përfshirë policë në qytetin e Mitrovicës së Veriut ende nuk janë kthyer në punë. Protesta, e cila u pasua nga një ndezje e tensioneve etnike, ka ngritur shqetësime në kryeqytetet perëndimore për një tjetër krizë sigurie për Evropën.
“Ne kemi nevojë për autonomi,” tha Jakshiq, i cili është një zyrtar i gjykatës. “Dhe respektimin e Kushtetutës së Kosovës, e cila garanton përfaqësim të barabartë etnik në institucione”. Përndryshe, tha ai, qëndrimi do të vazhdojë pafundësisht dhe ndoshta do të përkeqësohet.
Të vetëdijshëm për ndikimin që Rusia ka ende në Serbi, ndërmjetësuesit perëndimorë janë dërguar në rajon, duke u bërë presion të dyja qeverive në Prishtinë dhe Beograd për të zbutur tensionet. Ndërsa analistët ushtarakë dhe diplomatikë janë optimistë se një konflikt potencialisht i dhunshëm është shmangur tani për tani, serbët e Kosovës ankohen se të drejtat e tyre janë anashkaluar.
“Ata u fokusuan vetëm në njohjen e Kosovës nga Serbia”, tha Jakshiq për bisedimet ndërkombëtare. “Nuk ka njeri nga Mitrovica.”
Pavarësia e Kosovës njihet nga shumica e vendeve perëndimore. Por Serbia tha se nuk do ta ndiqte kurrë shembullin, një pikëpamje që ndahet nga populli i saj etnik në veri të Kosovës, të cilët këmbëngulin për më shumë autonomi nga Prishtina.
Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, thotë se serbët në të dyja anët e kufirit duhet të njohin pavarësinë dhe sovranitetin e vendit.
Të kërkosh më shumë të drejta të pakicave pa e njohur shtetësinë e Kosovës është si “të porosisësh çaj pa filxhan”, tha Kurti për Financial Times. “Ne duam që të gjitha pakicat në Kosovë t’i përdorin të drejtat gjithëpërfshirëse të parashikuara në kushtetutën tonë dhe duam që ato të integrohen plotësisht. Nuk ka alternativë tjetër.”