Finlanda drejt NATO-s, ministrja e vendit jep detaje

19:30 | 15 Prill 2022

Finlanda synon të anëtarësohet në NATO.

Ministrja e Çështjeve Evropiane në Finlandë, Tytti Tuppurainen ka thënë se gjasat janë të mëdha që Finlanda t’i bashkohet NATO-s pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Tuppurainen ka thënë se ekziston një shumicë absolute që mbështetë anëtarësimin e Finlandës në NATO, por sipas saj, kjo gjë duhet të diskutohet detajisht në Parlamentin e Finlandës, shkruan Gazeta Express.
“Kështu që në këtë pikë, mund të them gjasat janë shumë të mëdha, por vendimi nuk është marrë ende”, ka deklaruar ajo.

“Por natyrisht, veprimi i Rusisë, lufta brutale në Ukrainë, është një thirrje alarmi për të gjithë ne”, ka shtuar ministrja.

Të mërkurën, duke folur në një konferencë të përbashkët me homologun e saj suedez, kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka thënë se vendimi i shtetit të saj për t’iu bashkuar Aleancën do të merret “brenda javësh, jo muajsh”.

“Duhet të shohim nga e ardhmja dhe jemi duke shfrytëzuar këtë kohë për të analizuar si dhe për të ndërtuar pikëpamjet e përbashkëta për çështjet e sigurisë”, ka deklaruar kryeministrja e Finlandës, Marin.

“Nuk mund të japim ndonjë afat të saktë se kur do të marrim vendimin, por besoj se do të jetë shumë shpejt – brenda javësh, jo muajsh”, ka shtuar ajo.

Komento: