Finlanda i kundërpërgjigjet kërcënimeve të Putinit

18:37 | 14 Prill 2022

Finlanda synon të anëtarësohet në NATO.

Një ditë pasi kryeministrja e Finlandës konfirmoi se vendimi për anëtarësimin në NATO do të merret “brenda javësh”, ministri i Jashtëm finlandez tha se ishin të përgatitur për përgjigjen e Rusisë dhe për “lloje të ndryshme kërcënimesh”.

“Finlanda në fakt ka një ushtri mjaft të fortë konvencionale. Ne kemi më shumë se 280,000 rezervistë, kemi një ushtri rekrutimi, sapo kemi investuar në avionët luftarakë F-35, 60 prej tyre po vijnë në Finlandë, e kështu me radhë. Pra, ne jemi kujdesur mjaft mirë për forcat tona të mbrojtjes kombëtare.

Por sigurisht ne jetojmë në një botë, siç e shohim nga sulmi i Rusisë kundër Ukrainës, që shfaqen edhe kërcënime të reja sigurie. Nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë me NATO-n, ne mund të adresojmë të gjitha ato kërcënime të ndryshme”, tha ministri i Jashtëm finlandez Pekka Haavisto në një intervistë të enjten në CNN, transmeton Gazeta Express.

Rusia ka bërë prej kohësh deklarata kërcënuese për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke thënë se kjo do të kishte “pasoja serioze ushtarake dhe politike”.

Në fillim të luftës, Putini e bëri të qartë se një nga qëllimet e tij ishte të kthente dislokimet e NATO-s në Europën Lindore atje ku kishin qenë në vitet 1990. Tani, Finlanda dhe Suedia – që nuk janë zyrtarisht të anëtarësuara – po afrohen gjithnjë e më shumë drejt anëtarësimit në NATO, aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA.

Kur ai u pyet se pse Finlanda ka ndryshuar pozicionin e neutralitetit ushtarak, Haavisto ka thënë se natyra e sulmit rus në Ukrainë ka ndryshuar.

“Së pari, Rusia është e gatshme të ndërmarrë rreziqe më të mëdha drejt fqinjëve të saj. Së dyti, është gati të përqendrojë më shumë se 100,000 ushtarë në një pikë, siç e kemi parë në kufirin e Ukrainës. Dhe së treti – ky është më shumë një spekulim i hapur – përdorimi i mundshëm i armëve bërthamore apo edhe kimike. E gjithë kjo sigurisht që ndikon edhe në sigurinë finlandeze”, tha ministri i Jashtëm.

Sipas kryeministrit, Finlanda shpreson të përfundojë diskutimet në lidhje me aplikimin e mundshëm të vendit për anëtarësim në NATO “deri në mes të verës”.

Haavisto tha se pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi diskursin publik brenda vendit të tij.

Komento: