Fitojnë Prishtina dhe Gjilani, gabon Ballkani

15:42 | 26 Shkurt 2023

Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e xhiros së 22-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Derbi kryesor i javës, Llapi-Prishtina, i takoi kryeqytasve që fituan 2:0 në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Në minutën e 41-të, Prapashtica shënoi për ta kaluar Prishtinën në epërsi.

Krejt në sekondat e fundit të pjesës së parë, Endrit Krasniqi shfrytëzoi gabimin e portierit të Llapit, Ilir Avdylit dhe dyfishoi epërsinë, çka doli të ishte epilogu i këtij takimi në fund

Me këtë fitore, Prishtina tani ngjitet në vendin e katërt me 30 pikë, një më shumë se Llapi që bie në vendin e pestë.

Gjilani po ashtu shënoi fitore, duke e mposhtur minimalisht 1:0 në shtëpi Trepçën’89.

Golin e vetëm dhe të fitores për vendasit e shënoi Alber Dabiqaj në minutën e 76-të të ndeshjes.

Kjo fitore e dërgon Gjilanin në kuotën e 35 pikëve në vendin e tretë.

Në anën tjetër, mitrovicasit mbesin në vendin e tetë me 22 pikë të grumbulluara.

Kampioni në fuqi, Ballkani nuk ka arritur ta shfrytëzoj siç duhet gabimin e Dritës dje, duke barazuar sot me Dukagjinin 1:1 në Suharekë.

Madje, vendasit ishin duke pësuar kur kaluan 18 minuta lojë.

Ishte Oto John i cili realizoi nga penalltia, duke e kaluar Dukagjinin në epërsi.

Sulmuesi në super formë i Ballkanit, Albion Rrahmani realizoi me kokë në minutën e 55-të për të barazuar shifrat.

Me këtë barazim, Ballkani shkon në kuotën e 48 pikëve në vendin e parë, katër më shumë se Drita.

Dukagjini ndërkohë mbetet në vendin e gjashtë me 26 pikë.

Komento: