Fjalët e Adem Grabovcit në seancën ndaj Konjufcës për gaz lotsjellës: “Vallahi gjyqtare nuk e kom pa Glaukun”

12:08 | 20 Shkurt 2023

“Vallahi gjyqtare nuk e kom pa Glaukun”, fjalët e Adem Grabovcit në seancën ndaj Konjufcës për gaz lotsjellës.

Glauk Konjufca doli sot para Gjykatës, por nuk i shkoj gjatë. Nuk kishte angazhuar avokat, e pa të nuk mund të vazhdonte seanca.

Një episod interesant ndodhi, pas konstatimit të gjyqtarës se Konjufcës duhet t’i sigurohet një avokat mbrojtës. Dëshmitari Adem Grabovci, që politikisht ka qenë kundërshtar i madh i Konjufcës, në gjykatë sikur “po e mbronte”.

Çka ndodhi?

I akuzuari Konjufca ka thënë se nuk dëshiron të angazhoj mbrojtës pas pyetjes së gjykatëses Edita Çanta se a kishte angazhuar mbrojtës meqë me Kodin e ri të Procedurës Penale mbrojtja është e detyrueshme.

Lidhur me këtë, gjykatësja Çanta tha se do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës për t’i caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërkaq, në këtë seancë prezent ishte dëshmitari Adem Grabovci dhe prokurori i shtetit Besart Mustafa.

Pas njoftimi të gjykatëses për seancën e radhës, dëshmitari Grabovci i ka dalur në “mbrojtje” Konjufcës duke thënë se tjerë janë ata që kanë gjuajtur dhe se asgjë nuk i kujtohet.

“Vallahi gjyqtare kur dush, po nuk osht ky që e ka gjuajt, tjerë janë ata që kanë gjuajt”, tha Grabovci.

Gjykatësja Çanta më pas tha se për këtë mund të deklarohet në seancën e radhës, e që Grabovci vazhdoi me fjalët “Po sen nuk më kujtohet, ndaq thirrem sa herë dush kurgjo nuk m’ kujtohet”, duke ju drejtuar të akuzuarit Konjufca se “Unë ty s’tkom pa e Albinin po”.

Ndërsa lidhur me mungesën e dëshmitarit Slobodan Petroviq, gjykatësja Edita Çanta konstatoi se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt dhe për këtë do të presë fletëkthesë e më pas do të veprojë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Komento: