Fjalët e para të Platinis pasi u lirua nga akuzat

12:18 | 19 Qershor 2019

Lirohet Platini, thotë se është i qetë sepse kam qenë shumë transparent.

Ish-presidenti i UEFA-s dhe ish ylli i futbollit francez, Mishel Platini, u arrestua për 15 orë për t’u marrë në pyetje për një rast të dyshuar të korrupsionit për t’i dhënë organizimit e Kupës së Botës 2022 Katarit.

Prokuroria Financiare Kombëtare po përpiqet të përcaktojë nëse ish-lojtari i Juventusit mori pjesë në mënyrë të parregullt në blerjen e votave, në mënyrë që Katarit t’i jepet e drejta e organizimit të Botërorit të vitit 2022.

Njeriu që udhëhoqi UEFA-n midis viteve 2007 dhe 2015 është ndarë nga bota e futbollit për pothuajse katër vite, i sanksionuar nga organet e FIFA-s për pranimin e një shume prej 1.8 milion euro në mënyrë të parregullt. Arrestimi i Platini vjen pak muaj pasi dënimi i skadon në tetor dhe mund të kthehet sërish në organet drejtuese të futbollit, përcjell lajmi.net.

Ajo çka dyshohet është se ish-futbollisti mori pjesë më 23 nëntor 2010 në një drekë të organizuar në Pallatin Elysee nga presidenti i atëhershëm i Francës Nicolas Sarkozy së bashku me emirin e Katarit Hamad Ben Khalifa Al-Thani.

Hetuesit dyshojnë se në atë mbledhje u konfirmua mbështetja e Platinit ndaj shtetit të Gjirit Persik për organizimin e KB 2022, si dhe vendime të tjera, të tilla si nisja e një kanali sportiv, BeIn Sports ose blerja e ekipit të Paris Saint-Germain nga sheikët e Katarit.

Avokatët e Platinit pretendojnë se arrestimi i klientit të tyre ishte thjesht çështje ‘teknike’ dhe ai ka dhënë një dëshmi edhe vitin e kaluar, por kësaj radhe u ftua vetëm të qartësonte disa pika.

”Jam i qetë sepse kam qenë shumë transparent. Këto akuza janë tërësisht të pavërteta”, u shpreh pas lirimit Michel Platini.

Komento: