Krejt çka tha kryeministri Kurti në fillim të mbledhjes së Qeverisë sot.
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë i ftoi sërish serbët që të mos i braktisin institucionet.
Ai e mbajti një fjalim në fillim të mbledhjes, ku theksoi se serbët po e vuajnë rrezikimin e sigurisë së tyre dhe kërcënimet nga Beogradi, ndërsa tha se deri më tani janë lëshuar 1 mijë e 12 vërejtje/qortime për personat që mbajnë targa të lëshuara nga Serbia në automjetet e tyre.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:
I nderuar kabinet qeveritar,
Të dashur qytetar,
Punësim dhe drejtësi; është platforma në të cilën ne kemi garuar para qytetarëve dhe që është shndërruar në paradigmën e qeverisjes sonë.
Punësim nëpërmjet investimeve dhe rritjes ekonomike. Drejtësi nëpërmjet sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Njëra për tjetrën janë parakushte.
Sundimin e ligjit e kemi përgjegjësi programore por edhe obligim institucional. Ne duam sundim të ligjit, sepse duhet sundim i ligjit. Nuk është zgjedhje. Është detyrim.
Mungesa e tij është kërcënim për të gjithë.
Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda e individë kriminal janë vetë dëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit.
Problemi i tyre nuk janë vendimet tona. As afatet që parashihen në to. 1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes. Asnjë incident i shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin.
Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve po u pengon ligjshmëria e kushtetushmëria, luftimi i kriminaliteti dhe i korrupsionit në vendin tonë.
Ne jemi qeveri e përgjegjshme. E të gjithëve. Kundër kriminelëve. E përkushtuar për zhvillim, për integrim, për barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim ndaj qytetarëve pa dallim dhe pa diskriminim.
Republika e Kosovës është shtet demokratik i popullit të lirë. Aleate e zotuar e paqes. Partnere e besueshme e miqve të saj.
Sundimi i ligjit dhe demokracia janë garantuesit më të mirë të sigurisë edhe të paqes. Ato janë vlera dhe orientimi i yni i përbashkët me partnerët dhe miqtë tanë.
Bëj thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen dhe të mos braktisen institucionet. Dua të falënderoj bashkëqytetarët tanë serb për pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe të sigurisë.