Flamuri i Kosovës në Kanada do të ngritet nga djemtë e Hysen Prishtinës

13:43 | 15 February 2019

Djemtë e Hysen Prishtinës do ta ngrisin flamurin e Kosovës në Kanada.

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës për herë të parë do të organizojë në Toronto ceremoninë e shënimit të Ditës së Flamurit këtë të diel, më 17 shkurt 2019.

E veçanta e kësaj ceremonie është se flamurin tonë do ta ngrisin dy djemtë e patriotit Hysen Prishtinës dhe nipat e Xhemajl Beg Prishtinës, shkruan albinfo.ch.

Ata janë Fatosi e Fisniku. Fatosi kur ishte dy vjeç ka ikur me familje nga Kosova, e Fisniku ka lindur në Avellino të Italisë.

Asnjëri, asnjëherë nuk kane qenë në Kosovë, edhe pse tashme Fatosi i ka kaluar të ’70-at e Fisniku është afër për t’i mbushur shtatë dekada.

Ndërkaq janë ndër emigrantët më të vjetër nga Kosova që kanë ardhur në Kanada. Njëherësh janë sipërmarrës shumë të suksesshëm dhe filantrop të mëdhenj.

Në vitin 1941, babai i tyre, Hyseni kur e mori detyrën e prefektit të Prishtinës, me datë 28 nëntor urdhëroi me një dekret të gjitha institucionet dhe dyqanet në Prishtinë të vendosin flamurin kuq e zi për kremtimin e festes kombëtare të shqiptarëve.

Po të njëjtin vit Hysen Prishtina hapi edhe liceun Sami Frashëri në Prishtinë. Ai po ashtu njihej si prefekt që ka bërë shumë në mbrojtjen e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë.

Komento: