
Mbrojtësi i Arsenalit, Riccardo Calafiori, ka folur për stilin e fuqishëm të menaxhimit nga trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso, duke shaka thënë se shefi i ‘Azzurrëve’ e ka telefonuar më shpesh se sa vetë nëna e tij gjatë muajve të fundit.
23-vjeçari shumëfunksional po përgatitet për një play-off vendimtar për Kupën e Botës kundër Irlandës së Veriut, ndërsa Italia synon të mos humbasë një tjetër turne pas dy mungesave radhazi.
Duke folur nga kompleksi stërvitor i Italisë në Coverciano, Calafiori tregoi për frekuencën e bisedave të tyre:
“Gjatë muajve të fundit kam dëgjuar nga ai më shumë se nga nëna ime. Kur nuk luaja shumë ose isha jashtë, ai më thërriste vazhdimisht. Dhe darka me të ishte fantastike. Na dha mundësinë të ishim së bashku. Ishte si një darkë mes shokësh”, ka thënë ai fillimisht.
Seancat e lidhjes nuk kanë përfshirë vetëm trajnerin kryesor. Gattuso ka qenë i shoqëruar nga emra të mëdhenj të futbollit italian gjatë vizitave të tij, përfshirë shefin e delegacionit të kombëtares, Gianluigi Buffon, dhe ndihmës-trajnerin Leonardo Bonucci.
Treshja së fundmi takoi Calafiorin në Londër, duke i dhënë mbrojtësit të ri një sasi të madhe përvojash për t’u mbështetur gjatë sezonit të tij të parë në Angli.
Atmosfera në këto takime duket se ka të bëjë po aq me mentorimin sa edhe me taktikat.
“U ndanë shumë anekdota futbolli, sepse ata tre kanë plot të tilla”, zbuloi Calafiori.
Presioni mbi kombëtaren italiane është i madh. Pas mungesave në dy Kupat e fundit të Botës për shkak të humbjeve surprizë në ‘play-off’ ndaj Suedisë dhe Maqedonisë së Veriut, Italia është e vendosur të sigurojë një vend në turneun e ardhshëm në Amerikën Veriore.
Për ta arritur këtë, ata duhet së pari të mposhtin Irlandën e Veriut në Bergamo, para se të përballen me Uellsin ose Bosnjë-Hercegovinën.