Flasin familja e Donjeta Pajazitajt, pas dënimit të përjetshëm të dorasit të vajzës së tyre

10:13 | 26 March 2019

Nëna e saj thotë se tash e tutje do të ndihet më e lehtësuar.

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar përjetë Naser Pajazitajn për privimin nga jeta e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.

Vendimi u mor pasi lënda u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ky vendim është mirëpritur nga familjarët e Donjeta Pajazitajt. Nëna e saj thotë se tash e tutje do të ndihet më e lehtësuar.

“Rasti është i rëndë. Por pas këtij vendimi të gjykatës ndihemi më të lehtësuar. Gjykata mori një vendim të drejtë dhe ai është dënuar siç e ka merituar”, shprehet nëna e Donjeta Pajazitajt.

Edhe vëllai i Donjetës, Shkëlqimi, thotë se vendimi i gjykatës ishte i drejtë. Ai thotë se ky vendim është dashur të merret më herët.

“Unë po ndihem shumë mirë sepse u dënua një persona që e ka krye një vepër. Kur gjykata ka shpallë vendimin e parë, kemi pasur vuajtje të mëdha. Tash pak a shumë na është lehtësuar vuajtja pas këtij vendimi të ri”, deklaroi Shkëlqim Pajazitaj, përcjell Telegrafi.

Gjykata deri te ky vendim i ri erdhi pasi u paraqitën prova të reja që kanë munguar më herët.

Naser Pajazitaj më herët ishte liruar nga akuza për këtë rast, por Gjykata e Apelit më pas e kishte kthyer lëndën për rigjykim.

Komento: