Ngjarja e djeshme në Istog, la pa shenja jete dy persona, duke tronditur kështu vendin.
Qindra njerëz po shkonin për ngushëllim në familjen Demaj nga fshati Vrellë i Istogut.
Një ditë më parë, djali i tyre polici i Kosovës, Izet Demaj humbi jetën në krye të detyrës, derisa po tentonte të parandalonte një grabitje. Veprat e të ndjerit janë ngushëllim për familjen në këtë ditë.
Familjar e bashkëluftëtar kanë folur për policin e ndjerë.
Fotografia e tij i veshur me rroba të policisë së Kosovës po qëndron afër librit ku po shkruhen kujtimet e fundit. Aty janë mbledhur shumë njerëz e secili nga ta për policin Izet Demaj ka vetëm fjalë krenarie.
Familja e policit të Kosovës, humbi jetën dje në qendër të qytetit janë krenar me veprën e tij, e kjo po i ngushëllon kur kujtojnë ndodhinë e një dite më parë.
Familjarë miq, e bashkëluftëtarë e kujtojnë atë me fjalët më të mira.
Bekim Demaj, djali i axhës së tij u deklarua për Express, se i ndjeri ka qenë djalë shumë punëtor, si në luftë, si pas saj.
“Dhimbja është prezente po faleminderit prej të gjithë atyre që vijnë për ngushëllim. Për çdo ditë jemi pa edhe dje ka qenë në detyrë po i ka ardh momenti në krye të detyrës më zbatu ligjin. Ka qenë në orar të punës. Në punë është dhënë një alarm që një bankë është duke u plaçkit, Izeti ka qenë një njeri që ka marrë pjesë në luftë, ka qëne djalë shumë punëtor” tha ai.
Një shok i tij u deklarua se për herë të fundit është parë me të para dy ditëve e i ndjeri nuk ka pasur probleme asnjëherë me asnjë person.
Me Izetin bashkë jemi rrit s’ka më rëndë, me të bashkë jemi rrit ka qenë djalë shumë i mirë, i rregullt, i ri në luftë polic i mirë, po erdh momenti me humb jetën nga një kriminel. Pardje jam pa me të për herë të fundit. Absolutisht asnjëherë s’ka pas probleme me askënd., tha Sefedin Maxharraj,
Ndërkaq, një shok i tij i luftës, po thotë se ndihen keq se humbi jetën një njeri lirie në mes të ditës.
“Sot po ndihemi keq 20 vjet pas lirie humb jetën një njëri i insitucioneve shtetërorë në mes të ditës, Nuk është puna që ka humbur jetën vetëm një njeri, po është eliminuar institucioni dhe kjo po vazhdon që njëzet vjet me radhë. Në këtë rast ndodhi të eliminohet edhe krimineli, por përseri u përgjak institucioni, Me të ndjerin jam pa për herë të fundit javën e kaluar. Izeti ka qenë shumë I afërt, i shkathtë si në kohën kur ishte në Koshare kur ka qenë roje i komandantit të Brigadës nuk ka pyet për sakrificë as sa ishte ushtarë dhe e dëshmoi këtë si polic” rrëfente Milazim Maraj.
Në shtëpinë e të rënit në krye të detyrës gjatë ditës kanë qëndruar edhe deputeti i LDK’së Anton Quni e gruaja e komandantit Agim Ramadanit.
Gruaja e komandantit, Shukrie Ramadani pas ngushëllimit të familjes tha se rënia e policit Demaj ka pllakosur të gjithë shqiptarët, por, kjo sipas saj është shenjë se Kosova ka shtet.
“Rënia e tij e ka pllakos të gjithë shqiptarët, kjo është një shenjë që vërtetë kemi shtet forca më e madhe vjen nga djemtë më të mirë, djemtë më të mirë i dalin zot atdheut”, shtoi ajo duke deklaruar se Demaj ishte bashkëluftëtar i afërt i komandantit të Kosharës, Rrustem Berishës.
Ndërkaq, deputeti i LDK’së, Anton Quni foli për kohën e luftës e si e mbante mend Izetin.
“Të ndjerin e kam njohur nga ditët e para të luftimeve,një nga modelet e shembujt më të mirë ishte Izeti, Ai mbeti shembull nën uniformën e lirisë, do të mbetet edhe shembull me uniformën e policisë” u deklarua Quni.
Gjatë pasdites në familje për kryeshnosh shkoi edhe kryeministri i Kosovës Ramush Hardinaj, së bashku me ministrin e FSK’së, Ministrin e Punëve të Brendshme e pjesëtarë të policisë së Kosovës.
Aty Haradinaj i dorëzoi dy flamujt, atë shtetëror dhe kombëtar familjes së të ndjerit duke thënë se porosia që dha Izeti dje ishte që shteti të mos lihet kurrë i pambrojtur.
Kryeministri i dhuron familjes flamurin shtetëror dhe atë kombëtar
E Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, me lot në sy foli për atë që në kohë të luftës ishte krahu i tij i djathtë duke treguar edhe kur kishte kontaktuar me të për herë të fundit.
“Lajmi për rënien në detyrë për bashkëluftëtarin tonë e kemi përjetu jashtëzakonisht rëndë ka qenë tronditje për të gjithë ne është dhimbje e madhe krahas dhimjes është edhe krenaria që i kalon kufijtë e dhimbjes. Unë e bashkëluftëtarët e mi jemi krrenar për atë që ka bërë Izeti tërë jeta e tij ishte luftë për liri, dua të shfrytëzoj rastin të ju shpreh ngushëllime të gjithë atyre që e kanë njoft është humbje e madhe po duhet të jetë porosita sit ë duhet vendi e të ketë ligj. Dje kur e kam marrë lajmin mu ka dok si e kam humb një pjesë timen personale, Ka një muaj e diçka që nuk jam dëgju me të për shkak të angazhimeve, shtoi ai.
Ndërkaq, djali i axhës së Izetit, Rrustemi tha se me gjithë trishtimin e dhimbjen, shpresojnë që ai të jetë rasti i fundit.
“Jemi të shqetësuar jemi të trishtuar, dashtë zoti të jetë rasti i fundit i kriminelëve edhe pse e rënd ka sakrifiku shumë. Kemi prit të kur e ka përballu luftën në Koshare të kthehet jetës po kriminelët nuk të lënë të lehtë në këto rrethana në këto kushte. Duhet të gjejmë forcë ti përballojmë edhe këto dhimbje” shtoi ai.
Izet Demaj, polici që humbi jetën dje në krye të detyrës derisa po tentonte të parandalonte një grabitje në qendër të qytetit të Istogut do t’i jepet lamtumira e fundit me ceremoni shtetërore pranë ish ‘shokëve të tij të luftës në Koshare, të shtunën në orën 15:00.