Mjekët thonë se Moska zyrtare po i detyron që ta marrin vaksinën ruse kundër Covid-19.
Mjekët rusë kanë raportuar se janë duke u përdorur mënyra të ndryshme për t’i detyruar ata që ta marrin vaksinën kundër COVID-19, për të cilën nuk janë kryer ende të gjitha provat klinike.
Një video e lëshuar në Radio Evropa e Lirë tregon se Rusia ka filluar shpërndarjen masive të vaksinës së saj Sputnik V këtë javë.
Megjithëse vaksinimi duhet të bëhet në mënyrë vullnetare, sindikata e pavarur e punëtorëve shëndetësorë thotë se nuk është kështu.
Anastasia Vasiljeva nga Aleanca e Mjekëve thotë në video se mjekët po kërcënohen me pushim nga puna nëse nuk e marrin vaksinën Sputnik V.
“Kjo do të thotë se ekziston një urdhër që të bëhet ky vaksinim”, tha Vasiljeva.
Sidoqoftë, është e diskutueshme që testimet masive të kësaj vaksine nuk kanë përfunduar ende dhe Moska tashmë ka urdhëruar që punonjësit e 70 klinikave ta marrin këtë vaksinë.
Zyrtarisht bëhet e ditur se kishte mijëra vullnetarë për ta marrë vaksinën, se u zhvilluan intervista me ta dhe se ato u lëshuan në kanalet shtetërore.
Nga ana tjetër, sondazhet e opinionit publik tregojnë një realitet tjetër – njerëzit kanë dyshime të mëdha për vaksinën. Deri në 59% e të anketuarve janë shprehur se nuk do ta merrnin fare këtë vaksinë.
Vasiljeva deklaron se Aleanca e Mjekëve thirret çdo ditë nga disa punonjës shëndetësorë të cilët kërkojnë anonimat sepse pretendojnë se janë nën presion për ta marrë vaksinën.
Kjo Aleancë tashmë është në konflikt me Moskën zyrtare, sepse që nga fillimi i pandemisë po i vë në dyshim rezultatet që po i vendosen publikut, dhe veçanërisht ato në lidhje me punonjësit shëndetësorë që vdesin vazhdimisht nga COVID-19.