Flet djali i prizrenasit që vdiq në aksidentin në Kroaci: Kemi mërzi shumë të madhe

15:57 | 27 Korrik 2021

Familja Hoxha i fshatit Qëndresë të komunës së Prizrenit, ka hapur dyert për ngushëllime. As vetë familjarët nuk e dinë se kur do të arrijë në Kosovë trupi i baba Ahmetit, i cili mbeti i vdekur në aksidentin e së dielës në qytetin Sllavonski Brod të Kroacisë.

55-vjeçari, Ahmet Hoxha ishte lajmëruar për herën e fundit në mbrëmje. Ai u nis për shtëpi në Kosovë.

Valmiri, e ka vështirë të flasë për babanë, të cilin e kishin pritur pas shumë kohe.

“Baba është nisur prej Gjermanisë, është nisur ditën e shtunë dhe janë nisur me ardhë si zakonisht. Jam dëgjuar kah ora 11:30 në autobus. Është nisur bashkë me djalin e dajës me ardhë. Qato kanë qenë datat e fundit që unë kam fol me ta. Jam djali i tij, Valmiri, kemi mërzi shumë të madhe… Është baba, edhe djali i dajës”, tregon ai.

Familja Hoxha po pret sot trupin e 55-vjeçarit për varrim, por që ende nuk është e konfirmuar.

“Unë jam dëgjuar sot me Ministrinë e Punëve të Brendshme, sot sipas të gjitha gjasave po planifikohet me u nis trupi për Kosovë. Shpresoj, por nuk është asgjë zyrtare”, shton ai.

Valmiri derisa flet për KosovaPress shton se kanë peng që kjo ndodhi si shkak që shoferin e kishte zënë gjumi.

“Dyshimet, na mërzit që e ka marrë gjumi shoferin. Ka mujt me i ndodhë gjithçka, ka mund të jetë shofer dikush tjetër, ajo është ajo që nuk mundemi dhe me akuzua kërkon”, përfundon ai.

Ahmet Hoxha ishte bashkë në autobus me djalin e mikut, Kujtim Kastratin. Edhe ky i fundit ka mbetur i vdekur në këtë aksident tragjik në Kroaci. 9 bashkatdhetarë tjerë dhe shoferi kanë vdekur, ndërsa me dhjetëra kanë mbetur të lënduar.

Komento: