Temperaturat në ditët në vijim pritet të bien nën shoqërimin e reshjeve të borës.
Eksperti i meteorologjisë si dhe profesori universitar, Sylë Tahirsylaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vendi do të vazhdojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore me veti të ndryshme fizike.
Tahirsylaj tha se këto masa janë vazhdimësi e rrymimeve ajrore që vijnë nga pjesa verilindore e rajonit.
“Janë masa të ftohta, kanë hasur në masa të nxehta që kanë qenë nga Afrika veriore që për këtë stinë janë rritur pak temperaturat, mandej në shkallën e kondensimit do të shkaktoj reshje të shiut dhe borës. Fillimisht do të ketë reshje të shiut dhe ulje të temperaturave”, ka thënë ai, për Telegrafin.
Sipas tij, që nga dita e nesërme temperaturat do të luhaten ku si pasoj do të ketë reshje shiu dhe bore.
“Minimalja do të jetë nga minus 1 deri minus 5 në vendet kodrinore-malore, ndërsa ato më të lartat ditore do të shkojnë deri në plus 5 gradë celsius në ultësira, ndërsa në vendet kodrinore-malore plus 1 deri në 3 gradë celsius. Do të ketë erë nga ana e veriut dhe veri-lindjes me shpejtësi 1-8 m/s. Kjo situatë do të shkaktoj dhe ngricat, në orët e para të ditës që paraqet një problem për qarkullimin e mjeteve të komunikacionit që duhet të kenë kujdes vozitësit dhe ti përshtaten kushteve atmosferike në shpejtësinë e tyre”, theksoi Tahirsylaj.
Eksperti i meteorologjisë po ashtu tha së javën e ardhshme do të ketë reshje të borës me intensitet të ndryshëm.
“Jemi duke shkuar nga stina e dimrit dhe të martën e javës së ardhshme dhe të premten do të ketë reshje bore me intensitet të ndryshëm. Në vendet e ulëta lartësia e borës mund të shkoj deri 10 cm ndërsa në vendet kodrinore malore deri 20 cm”, tha ndër të tjera Sylë Tahirsylaj.